Lidhja e Bizneseve të Kosovës (LBK) nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi më Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë (DHTI-Tiranë)

27 shk 2026
Në emër të Lidhja e Bizneseve të Kosovës
Lidhja e Bizneseve të Kosovës (LBK) nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi më Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë (DHTI-Tiranë)
– Lidhja e Bizneseve të Kosovës (LBK) dhe Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë (DHTI-Tiranë) nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi me qëllim forcimin e marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë.
Marrëveshja u firmos nga Kryetari i DHTI-Tiranë, z. Nikolin Jaka, dhe Kryetari i LBK-së, z. Besart Dreshaj. Të dy bashkëbiseduesit theksuan se ky memorandum përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt thellimit të bashkëpunimit konkret dhe të qëndrueshëm ndërmjet komuniteteve të biznesit në të dy vendet.
Gjatë takimit me delegacionin e bizneseve nga Kosova, z. Jaka vlerësoi progresin e arritur në marrëdhëniet ekonomike dypalëshe, duke theksuar se ekziston ende hapësirë për reduktimin e burokracive dhe lehtësimin e mëtejshëm të lëvizjes së mallrave dhe shërbimeve. Ai nënvizoi domosdoshmërinë e eliminimit të barrierave fizike dhe administrative si parakusht për një integrim më të thellë ekonomik mes dy vendeve.
Nga ana e tij, Kryetari i LBK-së, z. Dreshaj, theksoi se marrëveshjet e arritura në nivel politik duhet të gjejnë zbatim të plotë në praktikë, në funksion të rritjes së bashkëpunimit ekonomik dhe rritjes së volumit të shkëmbimeve tregtare. Ai vlerësoi trendin pozitiv të tregtisë ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, duke theksuar se potenciali për rritje është edhe më i madh, veçanërisht në sektorët prodhues dhe përpunues.
Gjithashtu, u theksua nevoja për mbështetjen dhe promovimin e produkteve vendase, si një akt konkret i forcimit të partneritetit ekonomik dhe i rritjes së konkurrueshmërisë së bizneseve shqiptare në tregun rajonal dhe më gjerë.
Në kuadër të zbatimit të marrëveshjes, palët u dakorduan për organizimin e forumeve të përbashkëta ekonomike në Kosovë dhe Shqipëri, si dhe për pjesëmarrjen aktive të bizneseve kosovare në panairet dhe aktivitetet e organizuara nga DHTI-Tiranë dhe anasjelltas.
Pjesë e delegacionit të Lidhjes se Bizneseve të Kosovës ishin kompanit: Lesna Group, Devolli Group, Dukagjini Group, Beni Dona Group, Elsa Company , AlkoImpex, Shkembi dhe AlbaKos, Melodia Px dhe Spitali Lindja.
Lidhja e Bizneseve të Kosovës mbetet e përkushtuar për të thelluar bashkëpunimin ekonomik mbarëkombëtar dhe për të krijuar ura të qëndrueshme partneriteti ndërmjet sipërmarrësve të Kosovës dhe Shqipërisë.
