Lidhja e Bizneseve të Kosovës dhe Komuna e Rahovecit nënshkruajnë Memorandum Mirëkuptimi për Bashkëpunim.
25 tet 2024
Lidhja e Bizneseve të Kosovës dhe Komuna e Rahovecit nënshkruajnë Memorandum Mirëkuptimi për Bashkëpunim.
Sot, në Rahovec, Kryetari i Lidhjes së Bizneseve të Kosovës, z. Besart Dreshaj dhe Kryetari i Komunës së Rahovecit , z. Smajl Latifi, nënshkruan Memorandumin e Mirëkuptimit, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit institucional dhe krijimit të një marrëdhënieje formale mes dy institucioneve.
Lidhja e Bizneseve të Kosovës gjatë këtij takimi u përfaqësua nga Besart Dreshaj– Kryetar, Hashim Deshishku dhe Adem Gecaj- kompania Stone Castle
Memorandumi synon krijimin e një platforme për bashkëpunim të vazhdueshëm dhe konkret mes Komunës dhe komunitetit të biznesit, me fokus të veçantë në promovimin e prodhimeve vendore dhe turizmit, lehtësimin e procedurave administrative për bizneset, dhe përmirësimin e mjedisit të përgjithshëm biznesor në Rahovec.
Objektivat kryesore të bashkëpunimit përfshijnë:
- Promovimin e prodhimeve dhe shërbimeve vendore;
- Lehtësimin e procedurave administrative për bizneset dhe përmirësimin e klimës së investimeve;
- Avokimin e përbashkët për nisma ligjore që adresojnë sfidat e komunitetit të biznesit;
- Promovimin e transparencës në proceset vendimmarrëse komunale;
- Koordinimin në zhvillimin e politikave që stimulojnë rritjen ekonomike dhe tërheqjen e investimeve;
- Angazhimin e bizneseve në adresimin dhe shqyrtimin e sfidave administrative dhe ligjore.
Kryetari Latifi dhe kryetari Dreshaj theksuan rëndësinë e vazhdimit të këtij bashkëpunimi të përhershëm, duke shprehur përkushtimin e tyre për bashkërendimin e aktiviteteve në fushën e zhvillimit ekonomik të komunës, në të mirë të qytetarëve dhe komunitetit të biznesit.
Ky Memorandum shënon një fillim të ri në angazhimet e përbashkëta për përmirësimin e mjedisit ekonomik dhe përkrahjen e bizneseve në Rahovecit.