Lidhja e Bizneseve të Kosovës dhe Ambasadori i Shqipërisë vizituan Korporatën “Devolli Group”

26 pri 2025
Lidhja e Bizneseve të Kosovës dhe Ambasadori i Shqipërisë vizituan Korporatën “Devolli Group”
Kryetari i Lidhjes së Bizneseve të Kosovës (LBK), z. Besart Dreshaj, së bashku me Ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Kosovë, z. Petrit Malaj, realizuan një vizitë zyrtare në Korporatën “Devolli Group”, një nga kompanitë anëtare të Lidhjes së Bizneseve të Kosovës dhe një nga shembujt më të suksesshëm të sektorit prodhues në vend.
Delegacioni u prit nga z. Blerim Devolli, pronar i Korporatës, me të cilin u zhvillua një takim frytdhënës rreth zhvillimit të mëtejshëm të sektorit të prodhimit, eksportit dhe përmirësimit të klimës së të bërit biznes në vend.
Gjatë vizitës, u theksua roli i rëndësishëm që luan “Devolli Group” në ekonominë e Kosovës, si një ndërmarrje model që promovon prodhimin vendor dhe standardet evropiane në sektorin e ushqimit dhe industrisë.
Në shenjë vlerësimi dhe mirënjohjeje për kontributin e jashtëzakonshëm në fuqizimin e ekonomisë vendore, Lidhja e Bizneseve të Kosovës i akordoi Korporatës “Devolli Group ” një mirënjohje të veçantë.
Për kontributin e jashtëzakonshëm në zhvillimin ekonomik të Republikës së Kosovës, promovimin e vlerave të sipërmarrjes dhe fuqizimin e prodhimit vendor “Made in Kosovo”.
Përmes vizionit të qartë, përkushtimit ndaj cilësisë dhe inovacionit të vazhdueshëm, “Devolli Group ” është shndërruar në një shtyllë të rëndësishme të strukturës prodhuese të vendit, duke reflektuar imazhin e një Kosove konkurruese në tregjet ndërkombëtare.
Pjesë e delegacionit nga Lidhja e Bizneseve të Kosovës ishin:
• Besart Dreshaj – Kryetar
• Hashim Deshishku – Korporata “Llesna”
• Brahim Selimaj – “Elsa Group”
• Murat Kuka – “Kuka Group” shpk
• Gezon Berisha – “Shkëmbi Gllarevë” & “AlbaKos”
• Mustaf Krasniqi – “Knap Construction”
Lidhja e Bizneseve të Kosovës do të vazhdojë të mbështesë iniciativat që fuqizojnë prodhimin vendas dhe nxisin partneritetet mes bizneseve në të gjithë hapësirën shqiptare.