FORCIMI I URAVE EKONOMIKE KOSOVË -SHBA
Dialog strategjik për investime dhe ndërkombëtarizim

1 pri 2026
Lidhja e Bizneseve të Kosovës organizoi me sukses një forum unik të nivelit të lartë, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit ekonomik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ndërkombëtarizimit të bizneseve vendore.
Ky takim mblodhi përfaqësues të rëndësishëm të komunitetit të biznesit dhe ekspertë ndërkombëtarë, duke krijuar një platformë konkrete për orientim strategjik, shkëmbim përvoje dhe identifikim të mundësive reale të investimeve në tregun amerikan.

Në fjalën hapëse, Kryetari i Lidhjes së Bizneseve të Kosovës, z. Besart Dreshaj, theksoi se zgjerimi i bizneseve vendore drejt tregut amerikan nuk është më një opsion, por një domosdoshmëri strategjike për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të Kosovës, duke vlerësuar nevojën për strukturim profesional, partneritete të qëndrueshme dhe qasje të informuar në tregjet globale.
Në vijim të forumit, z. Dritan Mishto, konsulent për tregje dhe investime, prezantoi një analizë të përmbledhur mbi mundësitë dhe sfidat që hasin bizneset shqiptare në tregun amerikan, duke ofruar një pasqyrë konkrete mbi potencialin e depërtimit në këtë treg.
Ndërkohë, z. Besnik Ademi paraqiti perspektivat praktike të bashkëpunimit dhe rëndësinë e ndërtimit të urave të qëndrueshme ndërmjet bizneseve vendore dhe partnerëve ndërkombëtarë, duke theksuar rolin e rrjeteve dhe bashkëpunimit në rritjen e konkurrueshmërisë.

Ndërsa eksperti ligjor nga New York, z. Altin Nonaj, trajtoi në mënyrë të detajuar aspektet ligjore, financiare dhe operacionale të investimeve në SHBA, duke përfshirë kuadrin rregullator, kërkesat për kapital, format e organizimit të bizneseve, politikat tatimore në nivel federal dhe shtetëror, si dhe mundësitë e emigracionit për investitorë dhe drejtues biznesi.
Një ndër shtyllat kryesore të aktivitetit ishte prezantimi i konceptit të “Dialogut Strategjik të Investimeve” dhe iniciativës për krijimin e “Këshillit Shqiptaro-Amerikan të Investimeve”, si një mekanizëm praktik për lidhjen direkte të bizneseve shqiptare me partnerë amerikanë, duke kaluar nga vizioni në zbatim konkret.

Forumi u realizua në bashkëpunim me ekspertë ndërkombëtarë, duke ofruar udhëzime praktike dhe të zbatueshme për bizneset që synojnë hyrjen dhe zgjerimin në tregun amerikan.
Diskutimet interaktive me pjesëmarrësit dëshmuan interes të lartë dhe gatishmëri konkrete për të ndërmarrë hapa drejt ndërkombëtarizimit dhe rritjes së investimeve.
Lidhja e Bizneseve të Kosovës mbetet e përkushtuar në misionin e saj për fuqizimin e sektorit privat dhe ndërtimin e urave të qëndrueshme ekonomike me partnerët strategjikë globalë. Ky forum shënon një drejtim të ri, nga vizioni në veprim, dhe nga potenciali në rezultate konkrete.

