ANKESË ZYRTARE DREJTUAR ZRrE-së

29 mar 2025
ANKESË ZYRTARE DREJTUAR ZRrE-së
ANKESË ZYRTARE
Drejtuar: Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE)
Nga: Lidhja e Bizneseve të Kosovës (LBK)
Lënda: Kundërshtim ndaj propozim-vendimit për rritjen e çmimit të energjisë elektrike
Të nderuar,
Lidhja e Bizneseve të Kosovës, si përfaqësuese e komunitetit të biznesit vendor, shpreh shqetësimin e thellë dhe kundërshtimin e vendosur ndaj paralajmërimit të fundit të Zyrës së Rregullatorit për Energji për rritjen e tarifave të energjisë elektrike në nivel prej 15%. Ky propozim është i papranueshëm dhe ekonomikisht i dëmshëm, duke marrë parasysh gjendjen e rënduar ekonomike të vendit dhe ndikimin që do të ketë mbi bizneset, prodhimin vendor dhe mirëqenien e qytetarëve.
Rritja e çmimit të energjisë elektrike, në këtë periudhë të ndjeshme për ekonominë e Kosovës, përbën barrë shtesë për sektorin privat dhe për të gjithë konsumatorët. Ky vendim pritet të ketë pasoja të drejtpërdrejta në rritjen e kostove të jetesës, uljen e fuqisë blerëse të qytetarëve dhe tkurrjen e aktivitetit ekonomik vendor.
Sipas të dhënave të fundit nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, për periudhën shkurt 2025 krahasuar me shkurt 2024:
- Eksportet kanë pësuar rënie prej -8.9%.
- Importet kanë shënuar rritje prej +12.7%.
Ky disbalancë tregon qartë përkeqësimin e bilancit tregtar dhe dobësimin e sektorit të prodhimit vendor, i cili tashmë përballet me sfida të shumta si mungesa e përkrahjes, kostoja e lartë e lëndës së parë dhe fuqisë punëtore, dhe tani edhe me rritje të çmimit të energjisë.
Rritja e tarifave të energjisë elektrike pritet të ndikojë negativisht në:
- Rritjen e kostos së prodhimit për bizneset vendore;
- Uljen e konkurrueshmërisë së produkteve tona në tregun vendor dhe ndërkombëtar;
- Rritjen e çmimeve për konsumatorët fundorë;
- Zvogëlimin e investimeve të reja dhe largimin e investitorëve potencialë;
- Rritjen e papunësisë si rezultat i vështirësive në sektorin privat.
Për më tepër, ky vendim do të ndikojë drejtpërdrejt në mirëqenien e qytetarëve, të cilët tashmë po përballen me kosto të lartë jetese dhe rritje të vazhdueshme të çmimeve në sektorët esencialë.
LBK kërkon me ngulm nga ZRrE që:
1. Të tërheqë menjëherë këtë propozim për rritje të tarifave.
2. Të zhvillojë konsultime të hapura dhe gjithëpërfshirëse me komunitetin e biznesit dhe palët e interesuara për të identifikuar zgjidhje që nuk dëmtojnë ekonominë vendore.
3. Të ketë parasysh ndikimin ekonomik dhe social që ky vendim do të ketë mbi sektorin privat, konsumatorët dhe ekonominë e përgjithshme të vendit.
Kosova ka nevojë për politika që nxisin zhvillimin ekonomik, fuqizojnë prodhimin vendor dhe mbrojnë mirëqenien e qytetarëve, e jo për masa që rëndojnë më tej situatën ekonomike.
Me respekt,
Lidhja e Bizneseve të Kosovës
Data: 28.03.2025
Prishtinë