Lidhja e Bizneseve të Kosovës dhe Ambasadori i Shqipërisë, vizitë në Pejë për fuqizimin e bashkëpunimit ekonomik dhe mundësitë në tregun shqiptar

26 pri 2025
Në kuadër të angazhimeve për thellimin e bashkëpunimit institucional dhe ekonomik, Kryetari i Lidhjes së Bizneseve të Kosovës, z. Besart Dreshaj, së bashku me Ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Kosovë, z. Petrit Malaj, realizuan një vizitë zyrtare në Komunën e Pejës, ku u pritën nga Kryetari, z. Gazmend Muhaxheri.
Gjatë këtij takimi të rëndësishëm, Kryetari i LBK-së, z. Dreshaj, falënderoi Kryetarin Muhaxheri për angazhimin e tij të palëkundur në mbështetje të sektorit privat, për afërsinë me komunitetin e biznesit dhe për krijimin e një klime të favorshme për zhvillimin ekonomik në Komunën e Pejës.
Në fjalën e tij, Kryetari Muhaxheri shprehu mirënjohje për vizitën e delegacionit, duke theksuar se Peja ndjehet e nderuar që mirëpret Ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, z. Malaj, si dhe shprehu gatishmërinë për të vazhduar bashkëpunimin e ngushtë dhe tradicional me përfaqësuesit diplomatikë të Republikës së Shqipërisë. Njëkohësisht, Kryetari Muhaxheri falënderoi Lidhjen e Bizneseve të Kosovës për kontributin e saj të vazhdueshëm në zhvillimin ekonomik të komunës dhe fuqizimin e sektorit privat, në veçanti në promovimin dhe mbështetjen e prodhimit vendor.
Nga ana tjetër, Ambasadori Malaj vlerësoi lidhjet e ngushta vëllazërore mes qytetarëve të Kosovës dhe Shqipërisë, duke veçuar Pejën si një qytet me vlera të larta natyrore, kulturore dhe historike, i cili gjithmonë ka ofruar një mikpritje të ngrohtë dhe dashamirëse.
Gjatë takimit u diskutuan mundësitë për thellimin e bashkëpunimit ekonomik, nxitjen e turizmit, zhvillimin e sektorit privat dhe avancimin e projekteve të përbashkëta ndërmjet Komunës së Pejës dhe Bashkive të Shqipërisë, në veçanti me Durrësin dhe Lezhën.
Pjesë e delegacionit ishin edhe:
• z. Kastriot Noli – Këshilltar në Ambasadën e Shqipërisë në Kosovë,
• z. Hashim Deshishku – Nënkryetar i Lidhjes së Bizneseve të Kosovës dhe përfaqësues i Korporatës LESNA,
• z. Artan Spahija – Përfaqësues i Korporatës Devolli Group,
• z. Gezon Berisha – Përfaqësues i kompanisë “Shkembi i Gllarevës”,
• z. Murat Kuka – Përfaqësues i kompanisë “Kuka Group”,
• z. Mustaf Krasniqi – Përfaqësues i kompanisë “Knap Construction”.
Lidhja e Bizneseve të Kosovës mbetet e përkushtuar në rolin e saj për forcimin e lidhjeve ndërmjet komuniteteve të biznesit, institucioneve publike dhe përfaqësive diplomatike, duke kontribuar në zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm dhe integrimin e mëtejshëm rajonal.