Vizitë zyrtare në kompaninë Elsa Group në Pejë

26 pri 2025
Vizitë zyrtare në kompaninë Elsa Group në Pejë
Kryetari i Lidhjes së Bizneseve të Kosovës, z. Besart Dreshaj, së bashku me Ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Kosovë, Sh. T. z. Petrit Malaj, dhe bashkëpunëtorët z. Kastriot Noli, z. Hashim Deshishku, Murat Kuka, Mustaf Krasniqi dhe Gezon Berisha, realizuan një vizitë zyrtare në kompaninë prestigjioze Elsa Group në Pejë, ku u pritën nga pronari i kompanisë, z. Brahim Selimaj.
Gjatë kësaj vizite, u diskutua rreth sfidave aktuale me të cilat po përballen bizneset në Kosovë, si dhe mbi rëndësinë e bashkëpunimit dhe lobimit të përbashkët për tejkalimin e këtyre sfidave.
Ambasadori i Shqipërisë vlerësoi lartë punën, funksionimin, teknologjinë dhe profesionalizmin e kompanisë Elsa Group, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë. Ai theksoi se dy vendet tona duhet të punojnë pandërprerë për ndërtimin e një tregu të përbashkët dhe për eliminimin e çdo barriere që pengon zhvillimin ekonomik dhe shkëmbimin e lirë të mallrave dhe shërbimeve.
Elsa Group, me një traditë të pasur 35-vjeçare në përpunimin e granitit, mermerit, kuarcit, oniksit dhe gurëve të tjerë dekorues, është një shembull i suksesit të biznesit vendor. Pavarësisht sfidave të vështira të vitit 1999, kompania arriti të rindërtohet dhe të rifillojë aktivitetin me teknologji moderne dhe staf të zgjeruar. Sot, Elsa Group operon në tri lokacione të ndryshme dhe është lidere në rajon në importin e lëndës së parë, përpunimin cilësor dhe realizimin e projekteve të mëdha brenda dhe jashtë vendit.
Lidhja e Bizneseve të Kosovës shpreh përkrahjen e saj të plotë për të gjitha kompanitë vendore që kontribuojnë në zhvillimin ekonomik të vendit dhe mbetet e angazhuar në lehtësimin e sfidave, promovimin e mundësive të reja dhe zgjerimin e prezencës së tyre në tregjet ndërkombëtare.